
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me rrëmbimin e tre efektivëve të policisë nga forcat serbe në veri të vendit. Ai tha se ky veprim ishte një provokim i hapur nga ana e Serbisë për eskalimin e situatës.
Sipas Kurtit efektivët kosovarë ishin 300 metra brenda territorit të Kosovës ndërsa forcat serbe ishin ato që janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin kosovarë dhe kanë rrëmbyer tre policët. Ai kërkoi lirimin e 3 policëve dhe dënimin e aktit nga ana e faktorit ndërkombëtarë.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.
Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, thuhet në reagimin e Kurtit.
Lini një Përgjigje