TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Qershor 2023, 16:46

Rrëmbimi i 3 policëve rindez tensionet/ Kosova vendos bllokadë për mallrat serbe, Kurti akuza të forta Beogradit

Shkruar nga Pamfleti

Rrëmbimi i 3 policëve rindez tensionet/ Kosova vendos bllokadë

Ndalimi i tre efektivëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe ka rindezur tensionet Prishtinë-Beograd. Prishtina pretendon se serbët kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe kanë rrëmbyer me forcë 3 efektivët e policisë kufitare.

Vetë kryeministri Kurti në një deklaratë për mediat ka dënuar këtë veprim, teksa shprehet se Serbia po tenton të nxisë destabilizim.

Sipas Kurtit efektivët kosovarë ishin 300 metra brenda territorit të Kosovës ndërsa forcat serbe ishin ato që janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin kosovar dhe kanë rrëmbyer tre policët. Ai kërkoi lirimin e 3 policëve dhe dënimin e aktit nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.

Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviç - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, thuhet në reagimin e Kurtit.

Nga ana tjetër mësohet se Kosova ka vendosur të bllokojë mallrat serbe. Pas rrëmbimit të 3 policëve, qeveria ka vendosur që të mos lejojë të futet në territorin e saj asnjë mall që është prodhuar në Serbi. Nëse kthehemi pas në kohë, një masë të tillë ndërmori edhe Ramush Haradinaj kur ishte kryeministër, duke kërkuar reciprocitet. Si duket Kurti e ka rikthyer, si shenjë hakmarrje ndaj veprimit të Beogradit. /Pamfleti

kurti beogradi

Lini një Përgjigje