TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2023, 11:28

Rama ultimatum Vuçiç: Nëse s’lirohen policët e Kosovës këtë javë, rikthehet akulli në marrëdhëniet me Serbinë

Shkruar nga Pamfleti
Rama ultimatum Vuçiç: Nëse s’lirohen policët e
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën në veri të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar Serbinë për ngrirje të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit nëse nuk lirohen tre policët e rrëmbyer në veri të Kosovës para 4 ditëve.

Rama gjithashtu  i ka bërë thirrje Albin Kurtit të dalë nga nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova - sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkruan Rama.

Tre policë kosovarë janë rrëmbyer në 14 Qershor nga Polica serbe në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviçit në rrugë ilegale.

Zyrtarët e policisë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Ky fshat gjendet në komunën e Leposaviçit. 

Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe.

"Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ndërkohë në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri thirrje KFOR-it që të urdhërojë Serbinë që të lirojë 3 policët e rrëmbyer. Madje indinjatën për mos reagimin e KFOR tha se ia kishte shprehur edhe ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera me të cilët kishte pasur para se të shkonte në parlament.

 

rama albin kurti

Lini një Përgjigje