Votimi ishte zhvilluar pa praninë e opozitës dhe duke shmangur afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit...
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar 12 ligje të miratuara në seancën parlamentare të mbajtur më 5 dhjetor të vitit 2024. Në publikimin e vendimit të bërë këtë të premte, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimet për miratimin e ligjeve: për Shërbimet e Pagesave; kundër dukurive negative në sport; për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit; për Provimin e Maturës Shtetërore; për Banimin Social dhe të Përballueshëm; për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditimin; për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; për Prokurorinë Speciale; për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore; për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore; për Inspektoratin Qendror të Mjedisit; si dhe për Lojërat Mesdhetare.
Ndërkohë, Gjykata i ka konstatuar si në përputhje me Kushtetutën ligjin për Bankat, ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe ligjin për Gjykatën Administrative.
Partia Demokratike e Kosovës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me procedurat e ndjekura gjatë miratimit të këtyre ligjeve. Atë ditë, Kuvendi kishte miratuar gjithsej 20 ligje. Votimi ishte zhvilluar pa praninë e opozitës dhe duke shmangur afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Sipas Rregullores, shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim, përveç rasteve të gjendjes së jashtëzakonshme. Megjithatë, pa shpalljen e ndonjë gjendjeje të tillë emergjente, deputetët e shumicës parlamentare miratuan 13 ligje në të dy leximet, ndërsa 7 ligje të tjera u miratuan në lexim të dytë. Prej tyre, katër u përfshinë në rendin e ditës përmes mocionit. Këto shkelje procedurale janë theksuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, po ashtu, ka marrë vendim që të shfuqizojë Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvend në dy lexime më 5 dhjetor 2024.
Ky ligj ishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët pretendonin se votimi ishte bërë duke shmangur afatet procedurale. “Me pesë vota për dhe dy kundër, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimet e Kuvendit të datës 5 dhjetor 2024, përmes të cilave u miratua Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sipas këtij ligji, parashikohej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë, nëse ekzistonin dyshime për prejardhjen e saj. Ky ligj ishte miratuar në Kuvend edhe më 9 shkurt 2023, por, njësoj si herën e fundit, ishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e PDK-së. Pas një shqyrtimi që zgjati rreth një vit e gjysmë, ligji u shpall i pavlefshëm më 29 korrik 2024.
Lini një Përgjigje