Përmbytjet kanë goditur disa zona të Kosovës pas reshjeve intensive të ditëve të fundit, me situatën më kritike të raportuar në Anadrinisë të Komunës së Prizrenit. Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) konfirmon se Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, duke përmbytur të dy anët e rrjedhës dhe duke rrezikuar banesa e toka bujqësore.
Një nga pasojat më të drejtpërdrejta është bllokimi i rrugës Gjonaj–Krajk, ku niveli i ujit ka kaluar 1.5 metra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve dhe duke izoluar përkohësisht disa banorë. Policia dhe zjarrfikësit ndodhen në terren, duke punuar për të menaxhuar situatën dhe për të ndihmuar qytetarët.
“Gjendja është dinamike dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. Në pjesën tjetër të vendit, situata paraqitet më stabile, por reshjet e mundshme mund të ndryshojnë skenarin në çdo moment,” deklaroi AME në një njoftim zyrtar.
Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit janë angazhuar për pompimin e ujit, mbrojtjen e objekteve dhe monitorimin e pikave kritike, në bashkëpunim me strukturat komunale dhe Qendrën Operative të Agjencisë. Deri më tani, nuk raportohen viktima, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara dhe po dokumentohen nga autoritetet lokale.
AME ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare. Numri emergjent 112 është aktiv dhe në dispozicion të qytetarëve për çdo rast urgjent.
Lini një Përgjigje