Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në Ferizaj, ku një burrë ka qëlluar me thikë 4 kalimtarë të rastit. Në mediat e Kosovës kanë dalë dhe foto kur kalimtarët përballen me personin e armatosur.
Siç bëhet e ditur, tre prej katër personave të lënduar po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se një prej viktimave, e moshës rreth 10 vjeçare, ndodhet në gjendje të rëndë.
“Janë tre, një është në gjendje të rëndë, në sallë të operacionit, prej ekipit kujdestar të Anestezionit, Kirurgjisë Torakale dhe Kirurgjisë së fëmijëve, është diku 10-vjeçare,” tha Syla.
“Është gjendje e rëndë, në rrezik për jetë, është duke u operuar në sallë,” shpjegoi ai, duke shtuar se dy të plagosurit e tjerë janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu mirënjohje për stafin e QKUK-së për intervenimin e shpejtë.
“Falë reagimit të shpejtë nga Klinika Emergjente, dëgjova lajmin e mirë se gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e personave të tjerë është kryesisht stabile, përveç personit i cili pavarësisht që është në ri-animin këtu, mund të ndodh që të ketë nevojë edhe për një intervenim kirurgjik,” u shpreh Vitia.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:40 në Ferizaj, ku një person i moshës madhore në rrethana ende të paqarta ka sulmuar katër kalimtarë të rastit me thikë, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Lini një Përgjigje