Guvernatori Ahmet Ismaili lejon ende Shefik Gerbovcin drejtor të BKS-së edhe pse mori pjesë në lojën e kompanisë Quantix dhe po mundohet që pas largimit të Sami Mazrekut të fsheh krimet financiare...
Ka tre vite që ushtruesi i detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Shefik Gerbovci ishte pjesë e lojës së zhvillimit edhe pranimit të softuerit si drejtor i qendrës informative të BKS-së.
Derisa ‘Pamfleti’ ka raportuar që Softueri i kompanisë Quantix është posaçërisht i punuar për Besarb Blaken e Sami Mazrekun, ky i fundit atëherë drejtor i BKS-së.
Blakaj, si kryetar i Këshillit Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimeve jo vetëm që supozohet se mori para nga ‘Quantix’, por edhe e porositi atë që të mos evidentohen ndërhyrjet, asnjë fshirje e asnjë alternim i të dhënave e më e keqja është që në çdo moment ka mundur t’i përvetësojë identitetet e çdo qytetari, ashtu siç ka raportuar ‘Pamfleti’ më herët e në këtë drejtim ndihmës kryesor kishte drejtorin aktual të BKS-së, Shefik Gerbovcin.
Tregu i TPL mbërrin diku rreth 100 milion euro. Çfarë janë 10% ose 10 milion euro të fshihen nga baza e të dhënave.
Ra apo jo pre e Besarb Blakës, guvernatori i BQK-së Ismaili me zgjedhjen e Shefik Gerbovcit i cili u zotua që nuk do e prekë sistemin, por as edhe vendimet kriminale të Sami Mazrekut (ish drejtori i BKS-së)?
Mos vallë u dakordësuan që ta ndajnë dinarin apo euron?
Nga këtu thërrasim krimet kibernetike ta analizojnë sistemin sepse këto janë shkelje serioze dhe kërkojnë përmirësim të menjëhershëm.
‘Pamfleti’ ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës raportin e një ekzaminimi të fokusuar në BKS, i cili ka filluar në Maj dhe ka përfunduar në Shtator të vitit 2023.
Sipas ligjit për qasje në dokumente zyrtare, transparenca e plotë në këtë dokument -raport të BQK-së për BKS-në, nuk i është mundësuar Pamfletit.
Gjithashtu kemi bërë një ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi lidhur me mos lejimin e qasjes në dokumentin zyrtar- raportin e ekzaminimit nga BQK-ja dhe po presim përgjigje që nga data 23 prill. Si duket edhe AIP po tenton të fshehë krimin.
‘Pamfleti’ ka siguruar disa të dhëna nga raporti i ekzaminimit të BQK-së i cili si dokument është zyrtar dhe i formës së prerë.
Nga i njëjti, rezulton se është rekomanduar skanimi i dobësive të rrjetit dhe ‘penetration testing’ së paku një herë në vit si dhe të bëhet përmirësimi i menjëhershëm i dobësive të identifikuara në këto raporte.
Gjithashtu kemi kuptuar se Banka Qendrore ka konstatuar se nuk ka informacione të mjaftueshme rreth planit të vazhdimësisë së punës në rast të ndërprerjes si rezultat i ndonjë fatkeqësie.
Pamfleti ka kërkuar një përgjigje lidhur me këtë raport nga Gerbovci sidomos për rrezikshmërinë e se nga softueri mund të fshihen, të alternohen shënimet përkatësisht të manipulohen financiarisht.
Si çdo herë Gerbovci ka zgjedhur që dhe kësaj radhe të mos na kthejë përgjigje./Pamfleti
Lini një Përgjigje