
Mbrëmjen e sotme ka ndodhur një plagosje me thikë në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe ku dy qytetarë të nacionalitetit serbë kanë mbetur të plagosur.
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti tha për, Radion Evropa e Lirë se të dy të plagosurit ndodhen në Qendrën Spitalore në veri, njëri në gjendje më të rëndë.
Ai tha se dorasi ka ikur, por që sipas tij, Policia e Kosovës ka informacione për të dhe tashmë është në proces të kërkimit të tij.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetin social Facebook se është njoftuar nga Policia, se autori është pjesëtar i strukturave paralele kriminale të Serbisë.
“Sapo jam njoftuar nga Policia e Kosovës se në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur një incident me ç’rast dy qytetar të nacionalitetit serb kanë mbetur të plagosur dhe njëri nga ta ndodhet nën tretman mjekësor.
Njësitet relevante policore tashmë kanë dyshime të bazuara mbi dorasin e këtij akti i cili është po ashtu i nacionalitetit serb, pjestarë i strukturave paralele kriminale të Serbisë.
Njësitet policore do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë në mënyrë që dorasi apo dorasit e këtij sulmi të sillen sa më parë para drejtësisë”, shkruan ai.
Lini një Përgjigje