TAGS-AT E JAVËS

Kosova 3 Prill 2024, 19:19

Pas raportimit të Pamfletit, autoritet arsimore në Kosovë ndërpresin mësimin në shkollën “Ismail Qemali” të Mitrovicës

Shkruar nga Pamfleti
Pas raportimit të Pamfletit, autoritet arsimore në Kosovë
Shkolla "Ismail Qemali" Mitrovicë

Pas publikimit të artikullit nga ‘Pamfleti’, një ditë më parë me titull “1000 fëmijë rrezikohen në një shkollë në Mitrovicë; autoritetet kosovare heshtin!”, kanë reaguar institucionet.

Shkolla “Ismail Qemali” në Mitrovicë rrezikon të shembet, ndonëse objekti ishte inauguruar vetëm pesë vite më parë si një institucion arsimor model dhe rreth 2 milionë euro ishin investuar në të nga fondet e Bashkimit Evropian...

Lidhur me sigurinë e nxënësve si pasojë e dëmtimeve të mureve, rrjedhjes së ujit nga kulmi, lagështisë dhe dëmeve të tjera, prindërit paralajmëruan një protestë për sot, ku së bashku me fëmijët e tyre do të dilnin në rrugë për të vetëdijesuar shtetin lidhur me rrezikun që u kanosej jetës së rreth 1000 nxënësve.

Kjo mënyrë e zgjedhur e reagimit të prindërve ka frikësuar institucionet që ende po tentojnë ta mbajnë të fshehur këtë skandal. Madje, për ndërprerjen e mësimit që prej tri javësh pa prezencë fizike në këtë shkollë nuk ka reaguar as Ministria e  Arsimit, tek e cila komuna  e Mitrovicës e ka hedhur topin e përgjegjësisë për keqpërdorimet gjatë ndërtimit.

Drejtoria Komunale Arsimore (DKA) ka nxjerrë sot një njoftim ku informon se mësimi online do të vazhdojë vetëm edhe dy ditët e ardhshme, ndërsa pas pushimit pranveror pritet zgjidhje adekuate.

“Drejtoria e Arsimit, në takimin e sotëm të mbajtur me menaxhmentin e shkollës, Këshillin Drejtues dhe Këshillin e Prindërve të shkollës "Ismail Qemali", analizoi hapat e ndërmarrë nga të gjithë mekanizmat dhe raportet e ekipeve profesionale deri në këtë fazë, në lidhje me gjendjen e objektit të shkollës dhe shqyrtoi të gjitha mundësitë e organizimit të procesit edukativo-arsimor me prezencë fizike pas përfundimit të pushimit pranveror”, thuhet në komunikatën e komunës së Mitrovicës.

Sipas këtij njoftimi, gjatë javës së pushimit pranveror do të njoftohen të gjithë nxënësit dhe prindërit për detajet e organizimit të mësimit me prezencë fizike.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të shkollës, Suada Koxhadish Saraçi konfirmoi për ‘Pamfleti’-n se pas pushimit pranveror pritet që nxënësit të zhvendosen përkohësisht në një objekt tjetër shkollor, derisa të  merret një përgjigje për gjendjen e objektit nga ekspertët e pavarur.

Me gjithë gjendjen alarmante në këtë shkollë, krerët e shtetit të Kosovës nuk kanë reaguar ende. Asnjë hetim nuk ka nisur nga organet ligjzbatuese. 

Siç ka raportuar ‘Pamfleti’, jetët e këtyre nxënësve janë mbrojtur vetëm nga KFOR-i, pjesëtarë të të cilit kanë rekomanduar prindërit që të mos lejonin  fëmijët e tyre të futeshin më në këtë objekt shkollor, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të shembjes nga dita në ditë. /Pamfleti

shkolla "ismail qemali" autoritetet arsimore të kosovës mitrovica

Lini një Përgjigje