TAGS-AT E JAVËS

Kosova30 Janar 2026, 20:18

Pas përfundimit të bllokadës, nis qarkullimi i kamionëve nga Kosova drejt Serbisë

Shkruar nga Pamfleti
Pas përfundimit të bllokadës, nis qarkullimi i kamionëve nga
Bllokada nga kamionët

Lëvizja e kamionëve dhe mjeteve transportuese nga Kosova drejt kufirit me Serbinë ka nisur sërish të premten pasdite, pasi transportuesit serbë i dhanë fund bllokadës që zgjati disa ditë, bëri të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

Shoferët serbë deklaruan se vendimi për heqjen e bllokadave erdhi pas sinjalit të Komisionit Evropian, i cili theksoi se shoferët profesionistë përbëjnë një kategori të veçantë punëtorësh dhe kanë nevojë për një qëndrim më të gjatë se 90 ditë në vendet e Bashkimit Evropian.

Më vonë, edhe transportuesit nga Bosnja konfirmuan se kanë ndërprerë bllokadat, ndërsa një ditë më parë të njëjtin veprim e kishin bërë kolegët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Bllokadat kishin bllokuar terminalet e mallrave në dhjetëra pika hyrëse dhe dalëse në Serbi, në kuadër të protestës kundër rregullave të qëndrimit në Zonën Schengen, të cilat transportuesit i cilësojnë si pengesë për punën e tyre.

Protestuesit kërkojnë që afati i qëndrimit të zgjatet nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore.

Sipas Dhomës së Tregtisë së Serbisë, humbjet ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur rreth 100 milionë euro në ditë.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka miratuar më 29 janar një strategji të re vizash, që synon gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe zgjatjen e qëndrimit për kategori të caktuara punëtorësh nga vendet e treta.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë e ka vlerësuar pozitivisht heqjen e bllokadave, duke theksuar se ato kishin shkaktuar vonesa serioze në import dhe eksport, rritje shpenzimesh dhe pasiguri për bizneset.

Edhe pse Kosova nuk ishte pjesë e protestave, ajo u ndikua drejtpërdrejt për shkak se shumica e shkëmbimeve tregtare realizohen përmes tranzitit nëpër vendet e rajonit.

bllokada nis qarkullimi i kamionëve kosove serbi

Lini një Përgjigje