Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se vendi ka nevojë për një marrëdhënie të re mes pushtetit dhe opozitës, me qëllim miratimin e marrëveshjeve jetike ndërkombëtare dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, për të shmangur një krizë të re politike.
Kurti theksoi se bashkëpunimi politik është i domosdoshëm në këtë fazë, duke apeluar për përgjegjësi institucionale nga të gjitha forcat parlamentare.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të muajit dhjetor, duke siguruar 57 mandate në Kuvendin e Kosovës prej 120 ulësesh. Vetëvendosje pritet të formojë së shpejti qeverinë e re, duke nisur mandatin e tretë katërvjeçar nën drejtimin e Albin Kurtit.
Megjithatë, për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar, si zgjedhja e presidentit, mbështetja e opozitës mbetet thelbësore për stabilitetin politik të vendit.
Kurtit i mungon një shumicë dërrmuese prej 82 deputetësh për të kaluar ligje sikurse janë marrëveshjet ndërkombëtare, apo zgjedhja e presidentit të vendit.
Kurti tha për gazetarë të premten se e ka takuar presidenten Vjosa Osmani e cila po kërkon një mandat të dytë katërvjeçar, por se votimi në Kuvend për presidentin e ri është “hapi i katërt” në një varg hapash, siç është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të ri dhe formimi i qeverisë së re.
Teksa nuk do të ketë telashe ta formojë qeverinë e re, Kurti kërkoi nga opozita bashkëpunim për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare dhe për çështjen e presidentit.
Kurti tha se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim me opozitën dhe pret të shohë nëse do të ketë lëvizje nga ajo në shkurt.
Dështimi për ta zgjedhur presidentin ri, pasi Osmanit i mbaron mandati në prill, do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme për herë të tretë brenda afërsisht 12-muajsh.
Themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të dhjetorit është zvarritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua t’i rinumërojë të gjitha votat në gjithë vendin, pas dyshimeve për manipulim të votave në të kandidatëve për deputetë të Kuvendit.
Komisioni pritet ta përfundojë rinumërimin të premten pasdite dhe në ditët në vijim t’i certifikojë rezultatet, për ta hapur rrugën për konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë, ka druajtje se konstituimi mund të përballet me bllokada të reja, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila gjeti se nënkryetari i Kuvendit nga pakica serbe pas zgjedhjeve të shkurtit ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Lini një Përgjigje