TAGS-AT E JAVËS

Kosova30 Janar 2026, 12:57

Kosova në Bordin e Paqes, reagon Kurti: Ne do të kontribuojmë për këdo që ka nevojë!

Shkruar nga Pamfleti

Kosova në Bordin e Paqes, reagon Kurti: Ne do të kontribuojmë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë.

Ai ka komentuar gjithashtu pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta. Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Kurti u shpreh se pjesëmarrja e Kosovës është vazhdimësi e kontributit për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, tha mes tjerash Kurti.

Sipas tij, një prej arsyeve pse Kosova merr pjesë në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”, theksoi Kurti.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky mekanizëm do të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje. Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Lini një Përgjigje