TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Dhjetor 2023, 15:26

Pakti për Asociacionin, Kurti: BE dhe Vuçiç e humbën shansin në 26 tetor

Shkruar nga Pamfleti

Pakti për Asociacionin, Kurti: BE dhe Vuçiç e humbën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nuk do ta nënshkruajë asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në një konferencë për mediat, Kurti u shpreh se krerët e vendeve të BE-së dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e kishin rastin më 26 tetor që ta merrnin nënshkrimin e tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Veri.

Ai tha gjithashtu se duhet të pyeten ata që e kërkuan Asociacionin se përse e humbën një shans aq të mirë.

“Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja. Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia.

Ajo ishte një shans i madh. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin.

Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan”, tha Kurti.

Kurti u shpreh gjithashtu se Serbia është tërhequr nga marrëveshja e saj bazike dhe kjo sipas tij është pengesë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës tha se në mars, kur ishte duke diskutuar me Vuçiç për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kishte propozuar ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionin, por s’ishte lejuar.

“Më 18 mars, unë kam propozuar që ta shkruajë draft-statutin me tri principe, por mu tha jo. Ajo ishte koha kur thuhej që të dyja palët duhet të pajtohen”, përfundoi Kurti.

Kujtojmë se, më 26 tetor ai u shpreh i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit sipas propozimit të ndërkombëtarëve.

kurti vucic asociacioni

Lini një Përgjigje