
Ministri i Punëve të Jashtme serbe, Ivica Daçiç, duke u munduar që të justifikojë deklaratat e pak ditëve më parë ku tha se Milan Radoiçiç nuk ishte pjesë e sulmit në veri të Kosovës, sot deklaroi se ishte keq informuar nga njerëzit pranë tij.
Ai shtoi se ishte gabimi i tij dhe se nuk ka dashur të dëmtojë apo justifikojë askënd për veprimet e bëra. Ndërkohë theksoi se është e rëndësishme që të gjithë serbët të jenë të vetëdijshëm se ngjarjet në Banjskë janë një nga situatat më të vështira që nga viti 2004.
“Dikush më tha se ishte një video më e vjetër, nuk e kontrollova. Gabimi im. Nuk kam dashur ta shfajësoj Radoiçiçin. Ata fillimisht publikuan fotografi nga Nagorno-Karabakh, kështu që përmendën ato nga Obraz”, tha Daçiç.
Ministri serb foli edhe sa i takon rrezikut të sanksioneve, sipas tij nuk ka rrezik real që të vendosen masa ndëshkuese ndaj Serbisë, të cilat, sipas informacioneve jozyrtare, po i kërkojnë shtatë shtete të Bashkimit Evropian.
“Nuk ka pasur mbledhje ku janë votuar dhe janë marrë vendime, ka pasur mbledhje komisionesh ku janë përmendur gjëra të tilla në diskutime, por nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare për këtë, as nuk ka qenë nismë zyrtare”, tha Daçiç, raporton Danas.
Daçiç gjithashtu përsëriti se numri i pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë në vijën administrative të Kosovës është në rënie.
Lini një Përgjigje