Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë përplasjeve në veri të Kosovës ku së paku mbetën të plagosur 25 ushtarë të KFOR-it, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
Prestigjozoja "The Guardian" shkruan se "Komandanti i NATO-s kritikon sulmet e ‘papranueshme’ ndaj trupave, ku dhjetëra ushtarë italianë dhe hungarezë nga misioni KFOR dhe më shumë se 50 serbë u plagosën në përleshjet për kryetarët shqiptarë etnikë që morën detyrën."

Një ditë më parë, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit.
Ndërsa CNN shkruan se "NATO i ka dënuar si krejtësisht të papranueshme sulmet e demonstruesve në Kosovë që lanë të plagosur rreth 25 paqeruajtës të saj."

Më tej transmetuesi amerikan shkruan se të premten, presidenti serb Aleksandar Vuçiç vendosi forcat e armatosura në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, vendim ky thekson CNN që pasoi përplasjen e policisë së Kosovës me protestuesit të cilët u përpoqën të bllokonin një kryebashkiak të sapozgjedhur shqiptar etnik që të hynte në zyrën e tyre.
Ndërsa rrjeti arab Al Jazeera thekson se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani akuzoi homologun e saj serb Aleksandar Vuçiç për destabilizimin e Kosovës.
“Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për të destabilizuar veriun e Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Vuçiç tha se 52 serbë u plagosën në përleshjet, tre prej tyre në gjendje të rëndë.

Për përleshjen mes forcave të NATO-s dhe serbëve në veri ka shkruar edhe e përditshmja italiane Corriere della Sera.

Gazeta shkruan se nga tensionet në veri 14 ushtarë italianë janë plagosur.
"I goditur nga koktejet molotov", shkruan gazeta.
Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë.
Serbët lokalë të këtyre komunave kundërshtojne kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit.
Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre. Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensione./ Pamfleti
Lini një Përgjigje