
Situata në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok mëngjesin e sotëm është e qetë. Kështu ka bërë me dije Policia e Kosovës, teksa sot gjatë ditës serbët lokalë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat.
“Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha për Radion Evropa e Lirë, Veton Elshani nga Policia e Kosovës.
Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.
Mëngjesin e sotëm dhjetëra qytetarë serbë janë mbledhur në Zveçan. Rrugët janë të mbushura me mbeturina të cilat u hodhën një ditë më parë nga protestuesit. Policia dhe KFOR-i kanë nisur pozicionet për të ruajtur sigurinë.
Ditën e djeshme, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u largua nga hapësira pranë komunës së Zveçanit.
Nga këto përplasje u plagosën 25 ushtarë të KFOR dhe dhjetëra protestues.
Lini një Përgjigje