
Deputetja britanike, Alicia Kearns ka reaguar sërish për tensionet në Kosovë dhe sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Këtë herë, Kearns ka shprehur shqetësimin për mos vendosjen e masave ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët, derisa ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga BE-ja.
Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka masa për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, as rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.
Lini një Përgjigje