
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar në veri të vendit.
Abdixhiku i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti që të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat diplomatik e shtetërorë për të evituar destabilizimin në vend.
"Më lejoni të ndajë shqetësimin për ngjarjet në veri të vendit. Të jap mbështetjen e LDK-së për djemtë tanë në veri. Të bëjë thirrje dhe ftesë që Qeveria e Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat diplomatik e shtetëror për të evituar destabilizimin e vendit", thotë Abdixhiku.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, ndërsa ka dënuar “tendencën për dhunë nga grupe të dirixhuara nga Serbia”.
PDK ka bërë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarrë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve. Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarrë në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Lini një Përgjigje