I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, pasi sipas tij kjo është e vetmja rrugë për anëtarësimin europian.
Lajçak duke folur në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje, ka thënë se marrëveshja është arritur dhe nuk mund të zhbëhet. Ai ka thënë se duhet krijuar një atmosferë e përshtatshme për normalizim.
“Më e mira dhe përgjigja e vetme si ta arrijmë këtë është që rajoni të besojë se është momenti për zgjerimin e BE-së dhe se kjo është e vërtetë . Në momentin që partnerët tanë e kuptojnë se progresi në normalizim çon te progresi në rrugën e tyre drejt BE-së, atëherë do të shohim përparim të madh”, ka thënë Lajçak.
Për moszbatimin e marrëveshjes, Lajçak ka thënë se arsyeja është se palët nuk janë të gatshme për normalizim.
“Me marrëveshjen e Ohrit, që është një udhëzues drejt normalizimit, nuk mund të pyesim se çfarë duhet bërë dhe si të bëjmë. Por, e vërteta është se kam shpresuar që deri sot shumica e pikave të zbatoheshin. Por, ka ndodhur shumë pak. Pse kështu, pasi normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është çështje shumë e ndjeshme. Nuk besoj se palët janë të gatshme për këtë, nuk besoj se shoqëritë janë të gatshme për këtë”, ka thënë Lajçak.
Megjithatë sipas Lajçak, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç duhen përgëzuar që bëjnë përparim drejt normalizimit, pasi është gjë e mirë për qytetarët.
Lini një Përgjigje