
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar lidhur me vendimin e Listës Serbe për të mos marrë pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ambasada shprehet se ky vendim është për t'u ardhur keq.
Ambasada amerikane në Prishtinë, tha se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me ligjin në Kosovë.
“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve të Kosovës për të lejuar të gjithë qytetarët e vendit të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovën kanë mundësi pjesëmarrjeje. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe që do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për largimin e kryetarëve aktualë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës, në të cilën theksohet se “pjesëmarrja demokratike siguron që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullsisë që i shërbejnë dhe votimi është e drejtë thelbësore e shoqërive demokratike”.
“Presim që qeveria e Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e qytetarëve në veri përgjatë këtij procesi. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbetet i qartë dhe i pandryshuar, mbështesim një demokraci gjithëpërfshirëse dhe shumë etnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe të ligjshme që e mbështesin këtë demokraci”, thekson Ambasada.
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, akuzoi të dielën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë, ndërsa theksoi se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes në të është edhe fryrja e listave të votuesve.
Lini një Përgjigje