Ish-emisari i Trump kthehet me akuza ndaj BE-së, ndërsa lavdërohet nga Vuçiç dhe hesht për drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë...
Richard Grenell, ish-emisari i posaçëm i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ka rikthyer retorikën e tij të zakonshme; këtë herë duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për atë që ai e quan hipokrizi dhe heshtje për padrejtësinë ndaj Hashim Thaçit.
Grenell, tashmë një figurë gjithnjë e më e lidhur me rrjetet nacionaliste serbe, përdor çdo hap të tijin për të rimodeluar rrëfimin për drejtësinë ndërkombëtare në Ballkan si një operacion i kontrolluar politikisht nga BE.
Në vend që të flasë për progresin demokratik në rajon apo për përballjen me të kaluarën, Grenell merret me goditje personale dhe sulme ndaj zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian.

Në deklaratat e fundit, ai akuzoi Von der Leyen për heshtje ndaj, sipas tij, burgosjes së padrejtë të ish-presidentit të Kosovës. Pa asnjë argument të ri ligjor, pa referenca ndaj vendimeve të dhëna apo procedurave konkrete, Grenell kërkon që opinioni ndërkombëtar të harrojë krimet e pretenduara të luftës dhe të përqendrohet në një narrativë të personalizuar të viktimizimit politik.
Kjo është retorika që ka dominuar që prej fillimit të gjyqit ndaj Thaçit në Hagë: drejtësia si persekutim, jo si proces i domosdoshëm për të ndërtuar paqe të qëndrueshme. Kur kritika ndaj BE-së vjen nga një ish-zyrtar që është dekoruar nga Aleksandër Vuçiç me urdhër të lartë shtetëror serb, të gjithë duhet të pyesin: kush kujt i shërben?
E pabesueshme është me sa lehtësi Grenell flet për standarde të dyfishta, ndërsa injoron qëndrimet e pavarura të Gjykatës Speciale, të formuar me votën e Kuvendit të Kosovës. Në vend që të mbrojë interesat e Kosovës, ai e zhvendos vëmendjen nga integrimi euroatlantik drejt lojërave të rrezikshme me influencë amerikane të radikalizuar, që përfaqëson një segment të politikës së jashtme të Trumpit, jo politikën zyrtare të Uashingtonit.
Në këtë mes, BE hesht. Ursula von der Leyen nuk është përgjigjur ndaj akuzave, dhe me gjasë nuk do ta bëjë. Por heshtja europiane nuk duhet ngatërruar me dobësi, është sinjal që BE nuk ka ndërmend të hyjë në një luftë batutash me diplomatë të shpartalluar nga politika e brendshme amerikane.
Kosova ka nevojë për partnerë që e ndihmojnë të ndërtojë shtet, jo për zëdhënës të individëve që përballen me drejtësinë. Ndaj, mbrojtja që Grenell i bën Thaçit nuk është as mbrojtje e Kosovës, as ndihmë për paqen. Është thjesht një zë i instrumentalizuar që përdor Ballkanin si skenë për një garë tjetër pushteti, e cila nuk ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve./Pamfleti
Po ky jarani cfare dreqin do me punet e Shqiptareve. Le te theket ne diell andej nga plazhet ne Karaibe se vetem per ate pune eshte.