
Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar mbrëmjen e djeshme se ka nënshkruar një shkresë, e cila mundëson transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nesër, më 17 Tetor do të protestojnë në Tiranë për burgosjen e Thaçit dhe të tjerëve.
"Sot kam nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë", njoftoi Përparim Rama.
Me këtë vendim, kryebashkiaku i LDK-së që është në balotazh dhe për një mandat të dytë, ka ndezur një debat të fortë në Prishtinë, kryesisht me Vetëvendosjen e Albin Kurtit dhe mbështetësit e këtij të fundit, të cilët kanë sulmuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, për protestën që organizohet në Tiranë.
Megjithatë, qytetarët e thjeshtë e kanë përshëndetur vendimin, duke thënë se gjithë kombi shqiptar i nderon veteranët, familjet e tyre dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta do zhvillohet nesër, datë 17 Tetor ora 17:00, në Tiranë te Sheshi Skënderbej.
"Veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike.
Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, shihemi në Tiranë. Ju takon respekti i një kombi të tërë", vijon më tej kryebashkiaku i Prishtinës.
Lini një Përgjigje