
Ja si po ecën procesi i votimit në Kosovë...
Qytetarët e Kosovës do të vendosin sot se kush do t’i drejtojë edhe për 4 vite të tjera. Që prej mëngjesit janë hapur qendrat e votimit në të gjithë vendin. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues
Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në ditën e zgjedhjeve në vendvotime do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike, ndërkaq një ditë pas, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit – votat për kandidatë për deputetë. Në garë janë 28 subjekte politike. Kandidatë për kryeministër janë katër, ndërsa 1280 persona kandidojnë për deputetë. Në këtë zgjedhje, me ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Zgjedhje mund të votohen deri në 10 kandidatë për deputetë.
19.54- Zgjedhjet në Kosovë, pjesëmarrja rreth 40 për qind
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nxjerrë të dhënat më të fundit të pjesëmarrjes. Sipas KQZ, në zgjedhjet e përgjithshme kanë votuar 789,172 persona nga 1,970,944 me të drejtë vote. E përkthyer në përqindje është afro 40 për qind. Por të dhënat janë marr nga 90 për qind e qendrave të votimit.
19.43- Nis procesi i numërimit të votave!
30 minuta pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur procesi i numërimit të votave për subjektet politike. Numërimi i votave do të bëhet në këto qendra ku është organizuar procesi zgjedhor.
Kujtojmë se ditën e sotme kanë pasur të drejtë vote 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë nga të cilët, e kanë ushtruar të drejtën e tyre të zgjedhjes, 36.94 për qind ose 728,042 qytetarë.
Një pjesëmarrje kjo shumë më e ulët se ajo e 4 viteve më parë, ku ushtruan të drejtën e tyre të zgjedhjes 903,379 votues ose kthyer në për qind-je, (48.78 %).
19.17- Publikohen të dhënat e Exit Polleve, ja kush i fiton zgjedhjet në Kosovë
Sipas anketimeve, VV fiton, por nuk e formon dot e vetme qeverinë.
Publikohen të dhënat e para të Exit Polleve për zgjedhjet në Kosovë. Një sondazh është zhvilluar nga Klan Kosova, ku sipas tij, zgjedhjet i fiton Vetëvendosja, por që nuk e arrin dot ta formojë e vetme qeverinë.
Siaps tij, VV me 38 për qidn të votave ose 43 mandate deputeti. E dyta është PDK-ja me 22.4 % të votave ose 35 mandate. LDK e treta me 20.1 %, ose 23 mandate. AAK me 7.6 %, si e katërta me radhë, me 9 mandate.
Marshi i gabimit për këtë exit-poll është 3 për qind.
Po ashtu deri diku të njëjtat shifra ka nxjerrë dhe një ExitPoll i televizionit T7. Lëvizja Vetëvendosje ka marrë: 37% të votave; Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë: 20%; Partia Demokratike e Kosovës ka marrë: 23 % dhe AAK/NISMA ka marrë: 8 %. Marshi i gabimit është 1.5 për qind.
Pra sipas anketimeve, VV fiton, por nuk e formon dot e vetme qeverinë. Por fjala e fundit do të thuhet pas numërimit të votave dhe me gjasë rreth orës 23.00 pritet të kemi një rezultat të qartë se kush fiton.
19.00- Mbyllen qendrat e votimit, pritet nisja e procesit të numërimit!
Ka përfunduar procesi i votimit në Kosovë. Të gjitha qendrat e votimeve janë mbyllur dhe tani po pritet transportimi i kutive pranë pikave të numërimit të votave. Vlen të theksohet se në qendrat e votimeve ku ende ka radhë të qytetarëve për të votuar, procesi i votimit do të vijojë.
Me nisjen e numërimit të votave do të kemi mundësi të shohim projeksionet e para. Vlen të theksohet se ditën e sotme kanë pasur të drejtë vote 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë nga të cilët, e kanë ushtruar të drejtën e tyre të zgjedhjes, 28.7 për qind ose 566,277 qytetarë.
Një pjesëmarrje kjo shumë më e ulët se ajo e 4 viteve më parë, ku ushtruan të drejtën e tyre të zgjedhjes 903,379 votues ose kthyer në për qind-je, (48.78 %).
18.58- Zgjedhjet në Kosovë, 6 persona të arrestuar për shkelje të ligjit
Prokurorja e Shtetit në Kosovës, Laura Pula njofton se autoritetet kanë ndaluar gjashtë persona ditën e sotme për veprime të jashtëligjshme në procesin zgjedhor.
Deri në orën 15:00, prokuroria ka raportuar për arrestimin e gjashtë personave në tri raste të ndara, të cilët ndodhen në ndalim për hetime të mëtejshme.
“Rastet nuk mund t’i konsiderojmë as të vogla as të mëdha, por ato mund të ndikojnë në imazhin e procesit zgjedhor. Ajo që mund të themi me siguri është se personat e përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballen me pasojat ligjore,” tha Pula.
Ajo shtoi se Prokuroria e Shtetit po ndjek çdo denoncim për parregullsi dhe është e gatshme të ndërhyjë menjëherë në rast të ndonjë shkeljeje.
“Çdo informacion që publikohet në portale apo raportohet nga qytetarët, ne e trajtojmë me seriozitet dhe veprojmë në koordinim me hetuesinë për të marrë masat e nevojshme,” përfundoi Pula.
Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Procesi zgjedhor nisi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.
18.16- Kandidati i Listës Serbe thyen heshtjen zgjedhore
Kandidati i Listës Serbe për deputet, Milan Kostiç, ka shkelur heshtjen zgjedhore duke publikuar një thirrje për mbështetjen e partisë së tij.
Përveç promovimit të subjektit politik, ai u ka sugjeruar serbëve edhe numrat e kandidatëve për të cilët duhet të votojnë. Në mesazhin e tij, Kostiç ka përdorur gjithashtu gjuhë nacionaliste, duke shkruar “të gjithë për Serbinë”.
Sipas nenit 37 të Ligjit të ri zgjedhor, heshtja zgjedhore nis me hapjen e qendrave të votimit në orën 07:00 dhe zgjat deri në mbylljen e tyre në orën 19:00. Gjatë kësaj periudhe, çdo fushatë aktive dhe publikimi i sondazheve është i ndaluar me ligj.
17.38- Rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, Kurti mesazh qytetarëve: Dilni votoni, sot është dita D e demokracisë
Duke qenë se pjesëmarrja në zgjedhje në Kosovë ka qenë më e ulët se zgjedhjet e kaluara, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të marrin pjesë. Sipas tij, këto zgjedhje janë me rëndësi dhe nuk duhen neglizhuar.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë. Pyesni të gjithë të afërmit e miqtë se a kanë votuar dhe ua përcjellni këtë porosi timen që të shkojnë të votojnë menjëherë nëse nuk e kanë bërë. Më pak se dy orët në vijim, deri në 19:00, janë vendimtare për edhe më shumë se katër vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
17.17- Fluks i madh votuesish në Prishtinë, shtohet numri i tavolinave të votimit
Numër i madh i votuesve është regjistruar në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet, por edhe në Prishtinë në përgjithësi, ku deri në orë 15:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar afro 80 mijë votues nga 212 mijë sa janë në total.
Drejtoresha dhe menaxherja e qendrës së votimit në “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, për Klan Kosovën tha se deri më tani procesi ka shkuar shumë mirë, ku fluks të madh ka pasur në mesditë.
“Deri më tani procesi i votimit ka shkuar shumë mirë, edhe pse në mesditë kemi pasur një fluks shumë të madh të votuesve, kur për ta mënjanuar fluksin e madh, e kemi shtuar në cdo vendvotim edhe nga dy tavolina votimi. Votuesit kanë pritur me radhë, ata që kanë pasur të drejtë të hyn pa rendë, kanë hyrë. Hapësira ka qenë e mjaftueshme. Ata që s’e kanë ditur se ku do të votojnë, tavolina e statistikave i ka dhënë instruksionet qytetarëve se ku do të votojnë”, tha Krasniqi për Klan Kosovën.
Më tej, ajo tha se deri në ora 15:00 në shkollën “Ismail Qemali” kanë votuar 4 mijë e 545 njerëz me të drejtë vote, nga 10 mijë e 608 sa kanë të drejtë vote.
17.11- Fotografoi votën, shoqërohet në polici një person në Zveçan
Mbi gjysmë milioni qytetarë me të drejt vote, tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre dhe kanë votuar.
Ndonëse procesi është duke shkuar pa ndonjë incident të madh, një rast i fotografimit të votës është raportuar në Zveçan.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar për Telegrafin se një person është sjellë në stacion.
16.55- Zëdhënësi i KQZ-së rendit problematikat gjatë procesit
Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi raportoi mbi ecurinë e zgjedhjeve parlamentare që po mbahen në vend. Elezi u përgjigj për problematikat e raportuara deri tani në procesin e votimit.
“Ka pasur të ndryshme sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me votimin me kusht, funksionimine këtyre qendrave, disa vonesa por pasi kemi përcjellë udhëzimet e nevojshme dhe ndërhyrjet që është dashur të bëhen, janë tejkaluar ato dhe procesi ka votuar normalisht”, u përgjigj Elezi
16.30- Ndryshojnë të dhënat, rritet pjesëmarrja në zgjedhje
Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare vazhdon të zhvillohet në vend, dhe deri në orën 16:13, numri i votuesve që kanë marrë pjesë ka arritur në 563,075, që përfaqëson 28.57 përqind të totalit të votuesve.
Ky informacion është bërë i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka ndarë këto të dhëna për të mbajtur qytetarët të informuar në lidhje me zhvillimet e procesit zgjedhor.
Krahasuar me të dhënat para orës 15.00 ka një rritje të pjesëmarrjes.
16.05- Pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16.00 është 27.81%
Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot, më 9 shkurt 2025 po i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre për një mandat katërvjeçar.
Deri në orën 16:00 në Republikën e Kosovës kanë votuar 548,140 qytetarë nga 1,970,944 që kanë të drejtë vote, ose përkthyer në përqindje, 27.81% e tyre.
15.55- Ja pjesëmarrja e zgjedhësve në Mitrovicë
Deri në orën 11:00 në rajonin e Mitrovicës kanë votuar 17 mijë e 256 qytetarë. Është duke vazhduar procesi zgjedhor në rajonin e Mitrovicës. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri para orës 11:00 në Mitrovicë kanë votuar 6 mijë e 237 qytetarë, në Vushtrri, 7 mijë e 22 qytetarë, ndërsa në Skenderaj 3 mijë e 997 qytetarë. Gjithsej, deri në këtë periudhë kohore kanë votuar 17 mijë e 256 qytetarë.
Bëhet e ditur se në Mitrovicë kanë të drejtë vote 81 mijë e 482 qytetarë, në Vushtrri 73 mijë e 713 qytetarë, ndërsa në Skenderaj 53 mijë e 329 qytetarë.
15:46- Kosovë/ KQZ nis verifikimin e votave me postë nga diaspora
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nisur verifikimin e votave përmes postës. Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.
Derisa, numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë.Po ashtu Komisioni Qendror, gjatë ditës ka filluar edhe procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës që deri me tani kanë arritur në këtë institucion.
14:53- E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së viziton një qendër votimi në veri të Kosovës
Sot po mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë për zgjedhjen e kryeministrit të ri. E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar qendrën e votimit "Vik Karaxhiq" në Zveçan.
Në përditësim...
Lini një Përgjigje