Konjufca tha se kanë informacione se një grup serbësh po përgatiten për ndonjë sulm të mundshëm.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për mediat me homologen e tij sllovene, ka folur për “veprimet destabilizuese të Serbisë”.
Konjufca tha se kanë informacione se një grup serbësh po përgatiten për ndonjë sulm të mundshëm.
“Dhe derisa ne po flasim këtu, institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrojnë po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund ta përjetojmë”, tha ai.
Ai tha se institucionet e sigurisë janë në “vigjilencën më të lartë për çdo sulm ose provokim nga ana e Serbisë”.
Këtë paralajmërim e ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar, kur tha se Millan Radoiçiç vazhdon trajnimet në Serbi për sulme të reja në Kosovë.
Kujtojmë që më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër. Në kundërsulm, Policia e Kosovës vrau tre terroristë dhe arrestoi disa tjerë.
Përgjegjës për sulmin u akuzua Milan Radoiçiç që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës serbe dhe person i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ngjarja nxiti shqetësime për sigurinë rajonale dhe thirrje nga bashkësia ndërkombëtare që autorët të sillen para drejtësisë.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha në fundjavë se Serbia ka premtuar se Radoiçiç do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit të kaluar.
Si SHBA-ja, ashtu edhe Bashkimi Evropian i kanë bërë vazhdimisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e bisedimeve.
Javën e kaluar, Kurti ishte në Bruksel për një rund të ri bisedimesh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por takimi nuk u realizua për shkak të disa kushteve që nxori Kurti e që Vuçiq nuk i pranoi, në mesin e tyre edhe dorëzimi i Radoiçiqit.
Lini një Përgjigje