TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Maj 2023, 13:06

Kaosi në veri, Lista Serbe thirrje Vuçiçit: Ndërprit çdo lloj dialogu me Kosovën!

Shkruar nga Pamfleti
Kaosi në veri, Lista Serbe thirrje Vuçiçit: Ndërprit
Goran Rakiç

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, kërkoi nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin dialogun me Kosovën, derisa, siç tha ai, “të tërhiqen të gjitha forcat speciale”.

I kërkojmë presidentit të Serbisë Vuçiç dhe Qeverisë të ndërpresë ose të pezullojë çdo lloj dialogu deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale të Policisë së Kosovës", tha Rakiç gjatë një konference për media më 27 maj.

Dialogu për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen një ditë pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale për të nisur mandatin e tyre. Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave komunale, teksa në Zveçan u raportua edhe për të shtëna me armë. Disa makina policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, kërkoi po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale dhe zyrtarë të kësaj partie vlerësuan se kryetarët e rinj shqiptarë “janë të paligjshëm”.

Gjatë konferencës për media, Rakiç përsëriti qëndrimin e partisë së tij se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të plotësohen kushtet e paraqitura më herët nga ta, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqjen e njësive speciale nga veriu.

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe. Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

goran rakiç kaosi në veri lista serbe

Lini një Përgjigje