Pasi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë, një reagim ka ardhur nga Ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç.
Vuçeviç deklaroi se ushtria është duke u dislokuar në pozicione drejt kufirit me Kosovën.
Në deklaratën e tij për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) Vuçevic e quan kufirin me Kosovën “vijë administrative”, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
"Ushtria i merr pozitat e saj, të cilat, në dokumentet ushtarake, janë të specifikuara si pozicionet e Ushtrisë së Serbisë, në situata të tilla”, tha ai.
Vuçeviç deklaroi më tej se “është duke u zhvilluar përpjekja për të pushtuar të gjitha komunat në veri të Kosovës nga të ashtuquajturit liderë komunalë, absolutisht jolegjitimë dhe të zgjedhur ilegalisht”.
Ai u ankua se reagimi i KFOR-it (Misioni i NATO-s në Kosovë) dhe EULEX-it (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit) ishte i butë.
“Ushtria e Serbisë është në kontakt me KFOR-in dhe ne presim që KFOR të jetë shumë më i përfshirë në terren”, tha ai për RTS-në duke shtuar Serbia do të gjejë një “përgjigje adekuate, para së gjithash politike” për situatën, por nuk përjashton as ndonjë përgjigje tjetër që do të jetë adekuate për rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe qytetarëve tanë.
Lini një Përgjigje