
Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar sërish për vrasjen e Liridona Murselit. Ajo u qëllua me dy plumba nga një person i paguar nga bashkëshorti i saj Naimi, i cili ka qenë këshilltar i Pacollit.
Ky i fundit e dënoi dje krimin, por sot ka reaguar duke treguar se si është njohur me Naimin, teksa shprehet se ai dhe bashkëshortja e tij janë kumbarë të fëmijëve të tyre. Por Pacolli shprehet se përgjegjësia në këtë rast është individuale dhe asgjë nuk mund të lidhet me emrin e tij.
Reagimi i Pacollit
Edhe një herë, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e Liridonës me këtë ngjarje të trishtueshme.
Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai mu ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte përjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019.
Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri.
Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, unë dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time.
Tragjedia e fundit më ka prekur thellë, dhe bashkëndjejmë në dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve.
Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues.
Kam mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës. Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t'u tregojë secilit vendin e merituar.
Lini një Përgjigje