TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Gusht 2024, 10:53

Incidenti me Vjosa Osmanin, reagon kompania që menaxhon Aeroportin e Shkupit: Kontrolli i sigurisë nuk përjashton udhëtarët VIP!

Shkruar nga Pamfleti

Incidenti me Vjosa Osmanin, reagon kompania që menaxhon Aeroportin e

 

Kompania TAV, e cila menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka reaguar në lidhje me incidentin e mbrëmshëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

TAV sqaron se si operator aeroporti, ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

“Në përputhje me Ligjin për Aviacion dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare në lidhje me sigurimin e aviacionit civil, TAV Maqedoni, si operator aeroporti, ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti “Sveti Apostol Pavle Ohër”, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.

Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial.

Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti.

Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se nuk është e saktë se është cenuar siguria e udhëtarëve”, thonë nga TAV Maqedoni.

Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është tentuar t'i merret celulari personal nga sigurimi i aeroportit. Kjo ka shënuar edhe një konfrontim mes sigurimit apo stafit të Presidentes Osmani dhe sigurimit të aeroportit të Shkupit.

Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina ka thënë se në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’i marrë telefonin personal presidentes.

Lini një Përgjigje