
Një simbol i zemrës dhe shkronjat “Mitrovica” tani mbulojnë një rrugë në veri të Kosovës, duke zëvëndësuar simbolin “K. Mitrovicu” shkruar në cirilike.
Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit të kësaj komune, Erden Atiq, tha se bëhet fjalë për një projekt të komunës, me të cilin do të largohen shenjat cirilike nga çdo cep i komunës.
Vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka nxitur menjëherë reagimin e partive politike serbe. Gjatë heqjes së këtij simboli dhe vendosjes së shkronjave “Mitrovica” në alfabetin latin, Lista Serbe ka realizuar një video zgjedhore duke kundërshtuar veprimin.
Milan Radojeviç, kandidat i kësaj partie për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e 12 tetorit, ka akuzuar pushtetin duke thënë se janë “provokime të regjimit të Kurtit”.
Nga Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë”, për këtë veprim kanë fajësuar kryetarin Atiq. Ata kanë thënë se heqja e tabelës ofendon jo vetëm shumicën e qytetarëve në Mitrovicën e Veriut, por gjithë komunitetin serb në Kosovë.
“Sepse mohimi dhe heqja e alfabetit cirilik nga jeta publike, që është një kategori kushtetuese dhe ligjore, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj karakterit të saj shumëetnik dhe shumëkulturor”, thuhet në reagim të kësaj iniciative.
Ndërkaq, mediat lokale kanë vënë theksin edhe te mosshkrimi i fjalës “Veriut” si emër zyrtar i komunës. Për këtë çështje Syla ka thënë shkurt se buxheti ka mjaftuar vetëm për shkrimin “Mitrovica”.
.Albine.Kurti.zjedhjet.lokale