
Rreshteri Afrim Bunjaku, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001, u vra mëngjesin e 24 shtatorit pas përplasjes me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.
Vëllai i tij tregoi se është krenar për të dhe se shpreson që ai të ishte rasti i fundit tragjik.
“Ndihem shumë krenar që ka rënë për atdhe, shumë krenar. Krenaria është e madhe. Kemi dhimbje, mirëpo po na lehtëson kombi shqiptar, prej Kosovës deri në Australinë e largët. Të gjithë me diplomatë evropian i falënderojmë shumë. Inshallah është kthesë historike e inshallah është e fundit. Kemi policë shumë që kanë rënë, janë 23 mesa di unë, bashkë me vëllain tim. Mjaft më me këto! Jemi në tokën tonë dhe do të mbesim në tokën tonë, është tokë shqiptare,” – u shpreh Bunjaku për Euronews Albania.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur rreshterin Afrim Bunjakun hero të Kosovës.
Osmani, në mbledhje përkujtimore theksoi se Bunjaku sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve.
“Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore, për t’ia dhënë lamtumirën e fundit policit tonë rreshterit Afrim Bunjakut, i cili deri dje ishte gardian i sigurisë sonë. Ndërsa nga sot është hero i Kosovës, ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, sot në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, do t’i ndajë urdhrin më të lartë të Republikës,. ‘Urdhrin hero i Kosovës. Shteti ynë nga sot ka edhe një herë një kujtim më shumë, i cili me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së republikës, për të cilën ra në krye të detyrës, sot po nderojmë një hero të vërtetë, një rreshter trim dhe vetmohoues, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë”, u shpreh Osmani.
Lini një Përgjigje