Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një tjetër mesazh Serbisë për prezencën ushtarake në kufi me Kosovën. Pak ditë më parë ishte Shtëpia e Bardhë që dha alarmin, teksa sot ka folur zëdhënësi i DASH Matthew Miller.
Ai la të kuptohet se nuk u zë besë qëndrimeve të Beogradit, duke thënë se nuk ka akoma një konfirmim për tërheqje të ushtrisë nga kufiri.
“Kemi parë raportimet se Serbia ka tërhequr pajisjen ushtarake dhe personale nga kufiri. Ne nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do ta bëjmë, por nëse është e vërtetë, do të ishte një hap i mirëpritur”, tha ai.
Më tej ai shtoi: “Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Të premten koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për atë që siç e quajti ai ai, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.
Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.
“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin nuk mund ta them tani”, tha ai. Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.
Shefi i shtabit të ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsilovic u tha gazetarëve në Beograd të hënën se trupat përgjatë kufirit me Kosovën ishin shkurtuar nga 8,350 dhe 4,500 dhe shprehu habi për "shqetësimin e thellë të disave”, pra duke ju referuar SHBA-së.
Lini një Përgjigje