TAGS-AT E JAVËS

Kosova 3 Prill 2025, 16:30

FFK-ja reagon për incidentin me flamurin në Beograd: Kosova u përfaqësua me simbolet e saj kombëtare!

Shkruar nga Pamfleti

FFK-ja reagon për incidentin me flamurin në Beograd: Kosova u

Prania e flamurit Kosovar në Kongresin e UEFA-s të mbajtur në Beograd, irritoi jo pak serbët të cilët detyruan Federatën e tyre të Futbollit të dilte me një deklaratë, ku thuhej se ishte një gabim dhe se flamuri i Kosovës u hoq menjëherë.

Por një reagim ka ardhur edhe nga ana e Federatës Kosovare të Futbollit e cila ka deklaruar se Kosova është përfaqësuar me të gjitha simbolet e saja kombëtare në Kongresin e UEFA-s në Beograd.

FFK-ja sqaron se simbolet kombëtare të Kosovës janë hequr nga tavolina e tyre pasi ata janë larguar nga salla ku mbahej mbledhja e UEFA-s. Më tej theksohet se në deklaratën e federatës se këto veprime dashakeqëse të Serbisë nuk e ndryshojnë aspak faktin se Kosova është dhe do të mbetet një shtet i pavarur.

FFK-ja reagon për incidentin me flamurin në Beograd: Kosova u

Kosova mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Beograd me simbolet shtetërore. 3 prill, 2025 – Federata e Futbollit të Kosovës ishte pjesë e Kongresit të 49-të të UEFA-s, mbajtur në Beograd, ku delegacioni ynë, i kryesuar nga presidenti Agim Ademi dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner, përfaqësoi Kosovën me dinjitet dhe në përputhje të plotë me statusin tonë si anëtare e barabartë në UEFA dhe FIFA.

Në këtë ngjarje të rëndësishme të futbollit evropian, ashtu si çdo federatë tjetër anëtare, Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore, teksa konfirmoi edhe një herë përkushtimin e saj për zhvillimin e futbollit dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

Deklaratat e pabaza të Federatës së Futbollit të Serbisë, që synuan ta paraqesin pjesëmarrjen tonë si diçka jashtë interesit të futbollit, nuk kanë asnjë bazë dhe vetëm sa dëshmojnë tendencën e vazhdueshme të përzierjes së politikës në sport nga ana e Serbisë.

FFK-ja gjithmonë ka përfaqësuar interesat e futbollit të Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë për zhvillimin dhe avancimin e lojës së futbollit, duke mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet ndërkombëtare.

E kuptojmë se prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb, si dhe fakti që flamuri i shtetit tonë valëviti përkrah atyre të shteteve të tjera, vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi. Megjithatë, shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt që ta pranojnë këtë, aq më shpejt do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve sportive dhe shtetërore.

Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror.

Sigurisht, si gjithmonë, persona të caktuar ndjekin agjenda kundër Kosovës dhe largojnë nga tavolina, madje edhe djegin flamurin e shtetit tonë (siç ndodhi mbrëmë në Beograd nga tifozë të klubeve serbe), por Kosova si shtet është dhe mbetet një realitet i pakthyeshëm. FFK-ja menjëherë do të paraqesë notë proteste në UEFA dhe institucionet tjera ndërkombëtare lidhur me këto veprime, që janë kundër vlerave që promovon UEFA.

Gjithsesi, edhe një herë ritheksojmë se Kosova u prezantua si e barabartë me të gjitha simbolet e saj dhe gjithçka ka shkuar sipas protokollit të UEFA-s deri në pjesën përfundimtare të punimeve.

FFK-ja falënderon UEFA-n për trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Si gjithmonë, ne do të vazhdojmë të punojmë për ta forcuar futbollin tonë dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e FFK.

Lini një Përgjigje