TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Shtator 2023, 12:15

Sulmet në Veri, "çlirohet" Banjska pas përfundimit të operacionit policor

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet në Veri, "çlirohet" Banjska pas përfundimit

Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit është hapur në mesditën e së mërkurës. Më 24 shtator në këtë fshat, policia është përleshur me një grup terroristësh të armatosur, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku. Rruga ka qenë e mbyllur prej asaj dite.

Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, në pasditen e së martës.

Grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.

Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.

Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma (disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane), tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore, shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.

Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, se ka udhëhequr grupin prej 30 personash që sulmuan Policinë. Për më tepër, këta zyrtarë kanë thënë se Radoiçiç ka marrë pjesë personalisht në sulm.

Këto akuza më 26 shtator, Sveçla i mbështeti në një video të incizuar me dron, që tha se dëshmon se Radoiçiç ishte i pranishëm në Banjskë.

Lidhur me sulmin në veri, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tetë persona dhe ndaj tre prej tyre kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

 

sulme veri banjske

Lini një Përgjigje