Ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë një postim në rrjetet sociale për vendimin e Gjykatës së Posaçme që mbylli Sali Berishën në arrest shtëpie.
Ai ka përmendur edhe krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë, duke shtruar pyetjen nëse po bëhet “drejtësi shtetërore” apo “turp kombëtar”.
“Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar? Vështirë është të krenohemi këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesor të lirisë dhe liderët që e përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë ndrrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit! Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë! IM”, ka shkruar Mustafa.
Ndërsa tashmë ndodhet nën masën e ‘arrestit të shtëpisë’, simpatizantët e Sali Berishës janë grumbulluar në rrugicën poshtë banesës së tij ditën e sotme.
Sali Berisha doli në dritare dhe i përshëndeti ata me dy gishta.
Ndërkohë mbështetësit e tij dëgjoheshin duke brohoritur, ndër të tjera: “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.
Lini një Përgjigje