
Një ngjarje e rëndë është regjistruar një natë më parë në Podujevë, ku tre persona humbën jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri.
Sipas raportimeve për "TCH", autorja e dyshuar është një 30-vjeçare, e identifikuar si Ardita Gashi, e cila dyshohet se ka vrarë partnerin e saj dhe më pas një të afërme. Korrespondentja në Prishtinë raportoi se para aktit, e dyshuara kishte kërcënuar edhe anëtarë të tjerë të familjes, duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës.
Gjithashtu, bëhet me dije se, mes çiftit kishte pasur një ndarje dhe takimi mes tyre ishte kërkuar nga vetë 30-vjeçarja për sqarim, ndërsa Prokuroria ka konfirmuar vetëm ekzistencën e një mosmarrëveshjeje të momentit që përfundoi me përdorimin e armës.
Pas vrasjes së partnerit, ajo dyshohet se ka ndaluar në rrugë një të afërme, nusen e xhaxhait, e cila kishte dalë për të kuptuar çfarë po ndodhte, duke e mbajtur për një kohë të shkurtër peng dhe duke kërkuar që askush të mos afrohej, përpara se ta qëllonte për vdekje.
Autoritetet kanë qenë të rezervuara në dhënien e informacionit, veçanërisht lidhur me gjendjen e shëndetit mendor të autores, ndërsa motivi i saktë i ngjarjes mbetet ende i paqartë, pasi të dy personat kryesorë të përfshirë në konflikt kanë humbur jetën.
Lini një Përgjigje