TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Mars 2026, 15:29

Lidhja e dyshimtë, shefi i ri i zyrës ruse në Kosovë i përfshirë në shërbimet sekrete

Shkruar nga Pamfleti
Lidhja e dyshimtë, shefi i ri i zyrës ruse në Kosovë i
Ilia Uvarov

Të dhëna të publikuara nga një institut ukrainas e përfshijnë Ilia Uvarovin në një listë personash me lidhje të dyshuara me shërbimet sekrete ruse

Emri i Ilia Uvarovit, drejtuesit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, shfaqet në një databazë që përmban persona të dyshuar për lidhje me inteligjencën ruse. Të dhënat nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, raporton Radio Evropa e Lirë.

Uvarov u bë publikisht i njohur në Kosovë në gusht të vitit 2025, kur u prezantua në një takim zyrtar me përfaqësues të OKB-së. Përtej këtij njoftimi formal, informacioni për të ka mbetur i kufizuar. Ai nuk figuron ende si drejtues në listimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, ndërsa emri i tij përmendet në dokumente diplomatike që lidhen me Serbinë.

Një databazë e publikuar nga organizata ukrainase Molfar e përfshin Uvarovin si pjesë të një strukture të inteligjencës së jashtme ruse. Sipas përshkrimit në këtë databazë, ai lidhet me një departament që merret me operacione të zhvilluara nga territori rus dhe që përdorin mbulesa diplomatike për krijimin e kontakteve ndërkombëtare. Vetë organizata pranon se verifikimi i plotë i roleve konkrete mbetet i vështirë.

Institucionet ruse dhe ato të Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këto të dhëna. Nuk ka reagim as nga vetë Uvarov.

Karriera e tij diplomatike përfshin angazhime në disa vende. Ai ka shërbyer në Shtetet e Bashkuara dhe në Moldavi, ku ka mbajtur post konsullor. Në periudhën 2017-2019 ai ka qenë bashkëkryesues i një komisioni që mbikëqyr zonën e sigurisë në rajonin e Transnistrisë. Në atë rol ai ka mbështetur hapa që lidhen me lëvizjen dhe infrastrukturën në zonë.

Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë përdorimin e mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës si praktikë të zakonshme ndërkombëtare. Sipas tyre, në rastin e Rusisë kjo praktikë shfaqet më shpesh dhe me intensitet më të lartë. Ata theksojnë se dallimi mes diplomatit dhe oficerit të inteligjencës shpesh bëhet i vështirë dhe se karriera me poste të shumta jashtë vendit mund të shërbejë si tregues.

Analistët vlerësojnë se misione si ai në Kosovë mund të përdoren si pikë operimi në rajon. Ata lidhin këtë me interesin më të gjerë gjeopolitik dhe me vëzhgimin e aktiviteteve të vendeve perëndimore.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë funksionon në një kornizë të veçantë. Ajo vepron nën mandatin e OKB-së dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës. Stafi i saj gëzon imunitet dhe lëvizje të pakufizuar, ndërsa aktivitetet e saj mbeten kryesisht jashtë vëmendjes publike.

Në vitin 2021, autoritetet e Kosovës dëbuan dy diplomatë rusë nga kjo zyrë me arsyetimin se kishin cenuar sigurinë kombëtare. Për funksionimin aktual të misionit dhe komunikimin me institucionet vendore nuk ka sqarime zyrtare.

Zhvillimet lidhen me një kontekst më të gjerë politik dhe sigurie në rajon, ku Rusia shihet si aktor me ndikim në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

ilia uvarov kosova sherbimet sekret rusia

Lini një Përgjigje