Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë një mesazh në ditën e Evropës, ku deklaroi se nuk ka vend më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, ish-kryeministri tha se Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike.
Më tej, ai shtoi se vendi i tij është pjesë e natyrshme e familjes së madhe evropiane, në bazë të së cilës qëndron vlera e paqes dhe prosperitetit.
“Nuk ka vend në Evropë më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova, e cila është pjesë e natyrshme e familjes europerëndimore. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë dëshmi për vlerat evropiane që ne i përfaqësojmë me Kushtetutën dhe ligjet tona. Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike! Ky është një synim për të cilin jemi përcaktuar si shtet, të orientuar për të kontribuuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë, përkrah shteteve tjera të Evropës. Urime Dita e Evropës”, shkruan Haradinaj.
Lini një Përgjigje