TAGS-AT E JAVËS

Kosova30 Maj 2023, 15:01

“Bloomberg”: Çfarë fshihet pas tensioneve në Kosovë dhe frika për një përplasje të re në Ballkan

Shkruar nga Pamfleti

“Bloomberg”: Çfarë fshihet pas tensioneve në

Ekziston rreziku i përshkallëzimit të konfliktit edhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Bosnje-Hercegovinën...

Tre dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, armiqësitë etnike që ndezën konfliktin vazhdojnë. Kosova shpalli pavarësinë e saj nga ish-republika jugosllave, Serbia, në vitin 2008, por Serbia refuzon ta pranojë pavarësinë. Pushtimi rus i Ukrainës i shtoi një dimension të ri konfliktit. Tashmë tensionet në rritje ndërmjet autoriteteve në Kosovë dhe pakicës serbe lokale atje, kanë sjellë dhunën më të keqe ndër vite.   

Çfarë i shtyn tensionet në Kosovë?

Kosova ka një popullsi kryesisht shqiptare etnike prej 1.8 milionë banorësh, por ajo përfshin më shumë se 100,000 serbë. Në gusht të vitit 2022, autoritetet u përpoqën të detyronin pakicën serbe që të ndryshonin targat e makinave dhe dokumentet personale.

Shumë serbë etnikë e shihnin rendin administrativ si një fyerje dhe një kërcënim për identitetin e tyre. Autoritetet përfundimisht ranë dakord të mos zbatonin planin, por një numër i madh i policëve serbë në veri të Kosovës u larguan në shenjë proteste. Pas arrestimit të tre oficerëve vitin e kaluar, anëtarët e komunitetit u përgjigjën duke protestuar dhe bllokuar rrugët. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi Serbinë për nxitje të trazirave. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ngriti mundësinë e dërgimit të trupave në Kosovë për të mbrojtur pakicën serbe. Në maj, protestuesit serbë u përpoqën të bllokonin kryebashkiakët e sapozgjedhur etnikë shqiptarë që të arrinin në zyrat e tyre në qytetet me shumicë serbe, duke çuar në përleshje në të cilat u plagosën dhjetëra paqeruajtës të udhëhequr nga NATO, si dhe më shumë se 50 serbë vendas.

Cili ka qenë ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë?

Ndarjet gjeopolitike mbi Kosovën janë bërë më të mprehta që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia. Putin ka kritikuar Perëndimin për ato që ai thotë se janë standarde të dyfishta ndaj Serbisë. Ai e ka krahasuar kauzën e Kosovës – e cila është njohur nga shumica e botës perëndimore – me atë të dy rajoneve në Ukrainën lindore të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014. Nga ana tjetër, liderët e Serbisë dhe Kosovës e kanë përdorur luftën në Ukraina, për të intensifikuar retorikën e tyre. Ekziston rreziku që një përshkallëzim mund të përhapet në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor të paqëndrueshëm, duke përfshirë Bosnje-Hercegovinën. NATO, forca e paqes me afro 3,800 trupa në Kosovë, ka ndihmuar në ruajtjen e paqes në Kosovë për vite me radhë dhe ka thënë se është e gatshme të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti.

Cilët janë lojtarët kryesorë?

Kurti i Kosovës ka akuzuar Serbinë se i shërben interesave ruse, ndërsa Vuçiç i Serbisë ka thënë se zyrtarët e Kosovës po përpiqen të shfrytëzojnë alarmin mbi Ukrainën për qëllimet e tyre.

SHBA në përgjithësi ka më shumë ndikim se BE-ja mbi udhëheqjen e Kosovës, ndërsa Serbia kërkon mbështetje nga Moska, si dhe nga Uashingtoni dhe Brukseli në trajtimin e mosmarrëveshjes. Vuçiç ka dënuar në Kombet e Bashkuara pushtimin e Ukrainës, ndërsa nuk ka pranuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në vitin 2022, Vuçiç siguroi edhe pesë vite të tjera si president, me partinë e tij që mban shumicën në parlament. Refuzimi i Kurtit për të bërë ndonjë lëshim ndaj Serbisë ka komplikuar çdo bisedë me kombin fqinj. /Përshtati “Pamfleti” nga “Bloomberg

kosova serbia tensione

Lini një Përgjigje