
Në dokument, para së gjithash, thuhet se procesi i normalizimit të raporteve do të menaxhohet nga dy kryediplomatë nga vendet që nuk e njohin Kosovën, siç janë Spanja dhe Sllovakia.
Mediat serbe kanë paralajmëruar një dokument të ri sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas “Nova”, nëse nuk e pranon plotësisht marrëveshjen evropiane për Kosovën, Serbia do të humbasë mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Përveç kësaj, Bashkimi Evropian dhe NATO do të krijojnë mundësi që Kosova të rritet në mënyrë të pavarur, pa bashkëpunim me Beogradin.
Në vigjilje të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili do të mbahet të shtunën në Ohër, gazeta serbe pretendon se ka siguruar një dokument të ri nga BE-ja. Dokumenti është hartuar nga ndërmjetësit evropianë në dialogun Kosovë-Serbi si platformë për bisedime të mëtejshme me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.
“Këto janë praktikisht udhëzimet e tyre për dialog, të cilat duhet të tregojnë unitetin e BE-së për çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Vetë dokumenti nuk është përfundimtar, por mesazhet nga ai do t’i përcillen Vuçiçit dhe Kurtit. Konkretisht, cilat janë përfitimet e nënshkrimit të marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat e refuzimit”, shkruan gazeta serbe.
Në dokument, para së gjithash, thuhet se procesi i normalizimit të raporteve do të menaxhohet nga dy kryediplomatë nga vendet që nuk e njohin Kosovën, siç janë Spanja dhe Sllovakia.
“Teksti përfundimtar i marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave aktuale dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i brendshëm i BE-së, i cili është i pranueshëm edhe për shtetet anëtare që e njohin edhe për ato që nuk e njohin Kosovën”, thuhet në dokument.
Në dokument më tej thuhet se, “Serbia pritet të bëjë një hap prapa dhe të marrë përsipër të ketë marrëdhënie të plota me Kosovën”, transmeton Telegrafi.
“Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova merr përsipër të punojë me Serbinë për të zgjidhur nevojat praktike të gjithë njerëzve dhe komuniteteve. Serbia merr përsipër të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, thekson dokumenti.
Për sa i përket përkushtimit për paqen rajonale dhe vlerat e BE-së, në dokument thuhet se Serbia dhe Kosova janë të përkushtuara për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, ndërsa Serbia urdhërohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës.
Sipas medias serbe, nëse marrëveshja pranohet, për Serbinë parashikohet një partneritet i fortë strategjik me komunitetin perëndimor.
“Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore ekonomike dhe politike rajonale dhe pranimi i propozimit të BE-së do ta afrojë atë me komunitetin serb të Kosovës”, thuhet në dokument.
Pranimi i dokumentit nga Kosova do të shënojë fillimin e daljes së Kosovës nga kriza dhe mundësinë për t’u fokusuar në zhvillimin thelbësor socio-ekonomik. “Kosova përfundimisht mund të rritet e pavarur”, thuhet në këtë dokument.
Kur bëhet fjalë për masat ndëshkimore, dokumenti thotë qartë se Beogradi dhe Prishtina kanë dy mundësi: Të pranojë marrëveshjen dhe të pajtohet me qëndrimet e 27 vendeve anëtare të BE-së ose ta refuzojë atë, gjë që ka pasoja të rënda. Në atë rast, rruga e tyre drejt integrimeve evropiane do të ndalet dhe në të njëjtën kohë do të humbasin të gjitha përfitimet e mëparshme. Së shpejti do të pasojnë izolimi dhe trazirat e brendshme, thuhet në dokument.
“Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në përpjekjet e BE-së dhe Perëndimit për ndërtimin e paqes dhe stabilizimin. Nuk ka mënyrë që kjo të anashkalohet”, thuhet në dokument.
Në fund theksohet se nëse Serbia refuzon marrëveshjen, do të humbasë edhe mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën.
Lini një Përgjigje