TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Korrik 2023, 15:23

Arrestimet e serbëve në Veri, kërcënon Vuçiç: Po diskutojmë mundësinë për të shpallur policinë e Kosovës organizatë terroriste

Shkruar nga Pamfleti

Arrestimet e serbëve në Veri, kërcënon Vuçiç:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pretendon se të drejtat e serbëve po shkelen në Kosovë nga qeveria e Albin Kurtit. Në një mesazh publik, kreu i shtetit serb ka deklaruar se një pjesë e ndërkombëtareve po mbështesin qëndrimet e qeverisë Kurti në dëm, sipas tij, të banorëve serbë që jetojnë në Kosovë.

Presidenti serb tha se çështja e Kosovës do të ngrihet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas Vuçiç OKB duhet të mbajë një seancë urgjente për të diskutuar çështje që lidhen me serbët. Ai u shpreh se do të zhvillojë një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për të folur konkretisht për sigurinë e serbëve.

“Në përputhje me të gjitha këto, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet. Është e qartë se Serbia është e mbështetur në një cep muri. Javën e ardhshme do të kërkojë një bisedë urgjente me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, për të treguar situatën dhe për të thënë se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë, dhe menjëherë pas kësaj, Serbia do të kërkojë për herë të parë në këtë mënyrë, të thirret një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke marrë parasysh se jeta e serbëve është në rrezik”, tha Vuçiç.

Duke komentuar tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç deklaroi se ai ka bërë çdo përpjekje të mundshme që situata të shkojë drejt normalizimit.

Lidhur me shpalljen organizata terroriste të dy grupimeve në veri, Vuçiç tha se do të marrë në konsideratë kërkesën e Listës Serbe për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste.

Ne do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në përputhje me kompetencat e tij, të marrë masa urgjente për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, konkretisht të urdhërojë forcat ndërkombëtare të KFOR-it që të përmbushin nenet e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të parandalojnë veprimet e institucioneve të përkohshme në Prishtinë që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e Serbisë. Ne do t'u kërkojmë që të çmilitarizojnë të gjitha formacionet e armatosura të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, theksoi ai.

Presidenti serb tha se gjatë 15 ditëve të ardhshme do të ketë vendime të rëndësishme, për të cilat do të informohen dhe partnerët ndërkombëtarë të Serbisë.

aleksandar vuçiç kosova veriu

Lini një Përgjigje