
Tre persona kanë humbur jetën e 5 të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti në Kosovë.
Sipas KlanKosova, aksidenti ka ndodhur në fshatin Çubrel të Skenderajt. Mësohet se 3 viktimat i përkasin të së njëjtës familje. Bëhet fjalë për shtetasit Z.G, rreth 70 vjeç, A.G, rreth 50 vjeç dhe G. G, rreth 48 vjeç.
“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civilë, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Pas aksidentit tragjik, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit me automjete.
"Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe.
Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti.
Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë", shkruan Kurti.
Edhe kreu i Parlamentit Glauk Konjufca është shprehur i tronditur me ngjarjen, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave. Duhet theksuar se 4 prej të plagosurve janë punonjës policie. Inspektoriati Policor i Kosovës është përfshirë po ashtu në hetimin e rastit, për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Lini një Përgjigje