TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shtator 2024, 13:30

7 kërkesat për Kosovën, zhgënjehen serbët e veriut: Tradhti! Vuçiç na preu në besë

Shkruar nga Pamfleti
7 kërkesat për Kosovën, zhgënjehen serbët e veriut:
Aleksandar Vuçiç

Një sërë serbësh në veri të Kosovës i konsiderojnë joreale masat dhe kërkesat e paraqitura nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç në fjalimin e tij të para pak ditëve, e thonë se nuk mund mund të kompensohet “dëmi” i shkaktuar anëtarëve të komunitetit serb nga largimi prej institucioneve atje.

“Kjo është si të gjuash topin në mur e ai të të kthehet mbrapsht”, tha një prej tyre për REL.

Goran Milenkoviç, aktivist politik nga Leposaviqi, i cilëson pretendimet e kreut të shtetit serb si “keqpërdorim të popullit dhe mashtrim të opinionit publik.”

“I gjithë ky është mashtrim, në të cilin askush nuk beson më”, shprehet ai ndërsa shkon deri aty sa të përcjellë bindjen e vet se ngjarjet e fundit janë “pjesë e një marrëveshjeje” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që veriu të integrohet plotësisht në sistemin e Kosovës. Të tjerë i cilësojnë deklaratat e Vuçiçit si fjalë boshe e thonë se në këtë pikë,  Beogradi zyrtar mund t’i ofrojë komunitetit serb vetëm ndihmë financiare, sepse ajo që e përshkruajnë si “mbrojtje institucionale po zhduket ngadalë”.

Ata shprehin mosbesim ndaj masave që Serbia ka marrë, e i shohin kryesisht si “një kërkesë” ndaj autoriteteve të Kosovës që të lejojnë kthimin e serbëve në institucione, ndërsa thonë se “asgjë nuk do të ndryshojë në terren”.

Dorëheqja e qindra serbëve nga institucionet në veri të Kosovës u iniciua nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia me emrat e qyteteve të Kosovës.

Ndërkohë qeveria serbe miratoi së fundmi një konkluzion që urdhëron masa dhe reagim nga ministritë, për mbrojtje ligjore dhe socialo-ekonomike të serbëve në Kosovë, por edhe të interesave kombëtare të Serbisë.

Vendimi vjen një ditë pas masave që prezantuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në konferencën e tij të jashtëzakonshme për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiç ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiçit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Vuçiç ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”.

“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.

Sipas dokumentit, Serbia kërkon:

Shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
Tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
Tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
Kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Lini një Përgjigje