TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Nëntor 2025, 12:53

5 vite nga paraburgimi i ish krerëve të UÇK, Kurti: Kam punuar në heshtje që të mos mbahen atje

Shkruar nga Pamfleti

5 vite nga paraburgimi i ish krerëve të UÇK, Kurti: Kam punuar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me mbajtjen prej 5 vitesh tanimë në paraburgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti kujton se “Rexhep Selimi, menjëherë pasi kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit më 5 nëntor 2020, ishte dërguar në burgun e Hagës, ku vazhdon të mbahet edhe sot”.

Së bashku me të, në paraburgim që prej vitit 2020 ndodhen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.

Të katërt, sipas Kurtit, po përballen me 5 vite pritje vite pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit, “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.

“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.

Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.

Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.
Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar.

E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre", shkruan Kurti.

Lini një Përgjigje