Qytetarët e Kukësit po votojnë ditën e sotme për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, pas skandalit seksual të Safet Gjicit.
45 mijë 946 qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa procesi i votimit vijon pa probleme në të gjithë qarkun.
Deri në orën 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se pjesëmarrja ka qenë 14.14%, ndërsa kanë raportuar 66 Qendra Votimi nga 74.
Qytetarët do zgjedhin mes dy kandidatëve, Albert Halilajt të socialistëve dhe Emri Vata i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Edhe në këto zgjedhje, Partia Demokratike zgjodhi që të mos dalë me kandidat për shkak të përçarjes.
Halialj i PS-së votoi para orës 10:00, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i drejtohen kutive të votimit dhe të zgjedhin alternativën më të mirë. Votën në kutinë e votimit e hodhi edhe kandidati i 'Bashkë Fitojmë'.
“I ftoj të votojnë alternativën më të mirë dhe më bindëse për këtë qytet të mrekullueshëm”, tha Halilaj.
Pas kandidatit të PS, edhe kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Emri Vata i është drejtuar kutisë së votimit për të hedhur votën e tij.
Në një prononcim të shkurtër për mediat pas votimit, Vata iu bëri thirrje kuksianëve të dalin të votojnë, ndërsa theksoi nga kampi i opozitës do raportohet çdo parregullsi dhe tentativë për të ndikuar zgjedhësit.
“Sot është një ditë e shënuar, një ditë e shenjtë për Kukësin dhe për të ardhmen e tij. I ftoj të gjithë banorët t’i drejtohen masivisht kutive të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe në mënyrë demokratike. Deri tani kemi evidentuar çdo lloj problematike që tentohet për të derformuar vullnetin, të cilat do paraqiten pasi të dokumentohen.", tha ai.
Zgjedhjet në Kukës zhvillohen pas skandalit që përfshiu ish kryebashkiakun Safet Gjici, vetëm disa javë pasi fitoi zgjedhjet e 14 majit. Ai shfaqet në video duke kryer marrëdhënie intime me Alma K. brenda në ambientet e zyrës së bashkisë .Aktualisht Gjici ndodhet në burg.
Lini një Përgjigje