TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Tetor 2025, 08:24

Zgjedhjet në 6 bashki, PD mbledh sot Kryesinë; mister emri që do kandidojë për Tiranën

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në 6 bashki, PD mbledh sot Kryesinë; mister emri që do
Sali Berisha

Partia Demokratike do të mbledhë mesditën e sotme Kryesinë, ku pritet që të jenë në qendër diskutimet për zgjedhjet e pjesshme.

Në këtë mbledhje do të informohet nga grupi i punës rreth ecurisë së bisedimeve  me aleatet në lidhje me përfaqësimin në zgjedhjet vendore të datën 9 nëntor.

Po ashtu do të ketë diskutime dhe vendimmarrje mbi organizimin e procesit zgjedhor në 6 bashkitë që hyjnë në zgjedhje.

Deri tani 4 janë emrat që po diskutohen në tryezën e PD me aleatët për të zgjedhur kandidatin që do të përballet me Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e Tiranës. Ata janë aktivistja Edlira Çepani,  bashkëshortja e të ndjerit Gerti Bogdani, Florian Haçkja, Agron Shehaj, si edhe politologu Ermal Hasimja.

Këto janë emrat e parë të artikuluar deri më tani, ndërsa negociatat e grupit të PD me partitë opozitare do vijojnë edhe në dy ditët në vijim.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët deklaroi se opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, ndërsa komentoi edhe emrat që kanë qarkulluar si kandidatë të mundshëm për Bashkinë e Tiranës.

I pyetur lidhur me emrat që janë përfolur gjatë ditëve të fundit si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, Berisha nuk e konfirmoi nëse do ishte ndonjëri prej tyre, megjithatë e la të hapur mundësinë.

“Këto janë emra shumë të mirë, janë personalitete me vlera qytetare dhe morale të pakrahasueshme. PD, siç unë kam shpjeguar këtu para jush, gjatë këtyre kohëve është marrë me modelin, jo me emrat. Me aleatët tanë ne kemi diskutuar për modelin që do të ndjekim. Do jetë kjo një kandidaturë e PD-së apo nuk do jetë, do jetë një kandidaturë e koalicionit apo nuk do jetë, do jetë një kandidaturë e pavarur jashtë koalicionit, por koalicioni do e mbështesë? Cila është ujdia më e mirë? Ne kandidaturë kemi, për t’u përballur me kandidaturën e COVID-it, por ne nga gara nuk do tërhiqemi,” tha Berisha, i cili në fund shtoi se Partia Demokratike do kandidojë me garuesin më të mirë.

Ndërkohë pas takimit me PD, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka folur për mediat duke theksuar se e rëndësishme që këto negociata të përfundojnë me sukses. Ai theksoi se emri i personit që do të përfaqësojë opozitën, duhet të jetë një personazh me integritet mbi palët dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë apo çdo formë tjetër që cenon profilin politik dhe më tej të individit.

Është ai që ka propozuar emrin e kryetarit të partisë, Agron Shehaj për Tiranën.

Pezull ftesën për negociata, selisë blu ia ka lënë ende Adriatik Lapaj, i cili në zgjedhjet e fundit u rendit forcë e tretë. Me Lapajn, grupi i punës së PD ka zhvilluar një telefonatë, por ende nuk është lënë një takim konkret pasi Lapaj është në pritje të vendimmarrjes nga strukturat e Shqipëria Bëhet.

Ndërkohë, anëtari i grupit të punës së PD, Ilir Alimehmeti  ka zhvilluar takim me Endri Shabanin e Nismës Thurje, por të ende nuk kanë nisur zyrtarisht negociatat.

“Takim shoqëror, siç po them në mënyrë të vazhdueshme. Siç po them, partitë formale janë këtu me partitë përkatëse”, iu përgjigj Alimehmeti gazetarëve kur e pyetën për takimin me Shabanin.

Vetë politologu Ermal Hasimja ka mirëpritur faktin që emri i tij po diskutohet nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj si kandidat potencial për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë Tiranë, nëse ato do të zhvillohen.

“Ndihem padyshim i vlerësuar që emri im është propozuar në listën e kandidatëve potencialë të opozitës për Tiranën dhe falenderoj ata që e kanë propozuar apo mbështetur idenë. Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar do të mund të mendohem dhe të marr një vendim.

Më vjen mirë gjithashtu që dy emrat e tjerë në listë, Florian Haçkaj dhe Edlira Cepani janë njerëz qe i vlerësoj maksimalisht dhe që do te ishin kandidatë të shkëlqyer për opozitën”,- shkruan Hasimja në Facebook.

Ndërsa PD është në kërkim të kandidatit, presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Tiranë dhe 5 bashkitë e tjera, ndonëse kryebashkiaku Veliaj e ka ankimuar shkarkimin e tij në Kushtetuese.

zgjedhjet në 6 bashki

Lini një Përgjigje