TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Tetor 2025, 15:34

Zgjedhjet në 6 bashki, Botohet në Fletoren Zyrtare dekreti i Presidentit

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në 6 bashki, Botohet në Fletoren Zyrtare dekreti i

Avokatët e Veliajt kanë paralajmëruar ankimim në Kushtetuese të dekretit të Presidentit....

Dekreti i presidentit Bajram Begaj për të mbajtur zgjedhje të pjesshme në 6 bashki është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Kjo do të thotë se ai tashmë ka hyrë në fuqi dhe të gjitha subjektet e interesuara kanë të drejtën të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Pra, duket se është hapur rruga për përplasjen e dytë mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Pavarësisht se dekreti mban firmën e Begajt, në fakt lufta është mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Herën e parë, Veliaj iu drejtua Kushtetueses dhe duket se kjo i dha deri diku të drejtë, pasi e pranoi padinë dhe u duk se bllokoi zgjedhjet. Mirëpo presidenti e interpretoi ndryshe shkarkimin, duke u shprehur se ai nuk bazohet te neni 115 i Kushtetutës, i cili i jep të drejtë Veliajt ta ankimojë dhe për pasojë ka pezullim të procesit. Sipas Presidencës, akti është civil dhe ankimimi bëhet vetëm në Gjykatën Administrative.

Por me botimin në Fletoren Zyrtare, Veliajt i lind e drejta që të bëjë një padi të dytë, këtë herë duke ankimuar dekretin e presidentit dhe duke kërkuar pezullim të tij sa i takon Tiranës. Sipas burimeve, avokatët e tij e kanë gati padinë, edhe pse pritet të ketë debat nëse Veliaj legjitimohet si subjekt për të bërë ankimim apo jo.

Në nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese thuhet: “Të drejtën për të filluar një kontroll mbi pajtueshmërinë e ligjit ose akteve të tjera normative me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare e kanë edhe: b) organet e qeverisjes vendore, kur pretendojnë se u janë cenuar të drejtat e tyre të parashikuara në Kushtetutë ose pozita e tyre kushtetuese”.

Duke qenë se ai është i shkarkuar, ha debat nëse e ka ende këtë të drejtë apo jo. Megjithatë avokatët do ta bëjnë padinë dhe topi do të jetë te Kushtetuesja, e cila duhet të ndajë shpin nga sheqeri.

Me këtë lëvizje, Veliaj sfidon për herë të dytë Edi Ramën dhe ia bën të qartë se nuk do të jetë aq e lehtë ta eliminosh politikisht. /Pamfleti

Zgjedhjet në 6 bashki, Botohet në Fletoren Zyrtare dekreti i
Dekreti i botuar në Fletoren Zyrtare

Lini një Përgjigje