Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njëherazi drejtuese politike e PS-së në Tiranë, zhvilloi një takim me shqiptarët, të cilët jetojnë dhe punojnë në Selanik.
Ajo u bëri thirrje të votojnë, pas miratimit të Kodit të Ri Zgjedhor, ku do të marrë pjesë në zgjedhje edhe diaspora.
“Tashmë secili nga ju do të mund të votojë nga shtëpia e tij pa ju dashur të lerë pas të përditshmen e tij për të dielën e zgjedhjeve në Shqipëri. Në këto zgjedhje të radhës në Shqipëri ju jeni të lutur të ushtroni sovranitetin tuaj dhe të jepini vendimin tuaj se kush duhet të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshëm. Kësaj here pa qenë të detyruar të niseni me makinat tuaja apo me autobusë, por të votoni direkt nga shtëpitë tuaja ashtu siç e mendoni, ashtu siç e ndjeni.
Regjistrohuni në listën e votimit. Dëshmoni vullnetin tuaj se si duhet të qeveriset Shqipëria në katër vitet e ardhshëm. Votoni për Shqipërinë që ka ndryshuar e po ndryshon krenarisht! Votoni për projektin e Shqipërisë Evropiane të dekadës së ardhshme, qytetarë të parë evropianë të së cilës jeni edhe ju! Një dekadë e pak që ne socialistët po qeverisim Shqipërinë është dëshmia më e qartë, më e plotë se çfarë do të bëjmë më tej në vijimin e projektit tonë për shndërrimin e saj në një vend modern, demokratik, të fortë e të pandarë nga fatet e qytetarëve të tij”, tha Spiropali.
Në fjalën e saj, Elisa Spiropali, tha se po punohet edhe lidhur me çështjen e lejeve të qëndrimit dhe procedurat e fitimit të shtetësisë.
“Me Greqinë po punojmë edhe për çështjen e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e fitimit të shtetësisë me natyralizim, si ndodh në bashkëpunimin mes mjaft kombeve të qytetëruara në botën e sotme globale”, përfundoi Spiropali.
Lini një Përgjigje