TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Shkurt 2025, 21:01

Zgjedhjet e 11 majit, konfigurohen 3 koalicione parazgjedhore; cilat janë partitë që garojnë të vetme

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e 11 majit, konfigurohen 3 koalicione parazgjedhore; cilat janë

Kur kanë mbetur rreth 71 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit duket se janë konfiguruar 3 koalicione parazgjedhore.

Pas demokratëve të Sali Berishës që kanë deklaruar një koalicion të gjerë dhe po përmbyllin marrëveshjet me PBDNJ, PR, PDK, PL, PDIU, PAA, ndërkohë që të tjera subjekte të njohura dhe panjohura, kanë deklaruar se do i bashkohen koalicionit të drejtuar nga PD.

Gjithashtu LZHK e Dashamir Shehit ka arritur një marrëveshje për koalicion me Djathtas 1912, ndërsa i ka bërë thirrje edhe partive të tjera që t’i bashkohen këtij kësaj nisme.

Në anën tjetër, “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe “Nisma Thurje” e Endri Shabanit do të zyrtarizojnë nesër koalicionin e tyre.

Dy parti të tjera të reja, “Mundësia” e Agron Shehaj dhe “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit deri më tani nuk i janë bashkuar asnjë prej 3 koalicioneve.

Më herët ata kanë deklaruar se do të garojnë të vetëm në zgjedhje.

Gjithashtu socialistët e Edi Ramës do të hyjnë të vetëm në zgjedhjet e 11 majit, duke deklaruar se aleanca e tyre është vetëm me qytetarët. Një tjetër parti që në 11 maj hyn pa një koalicion parazgjedhor është PSD e Tom Doshit, ndërsa për Lulzim Bashën me Demokratët Euroatlantikë nuk dihet formati që do të zgjedhë për të hyrë në zgjedhje, edhe pse më herët është deklaruar se do të bëjnë koalicionin e tyre.

 

Lini një Përgjigje