
“Zbythet” Sali Berisha. Ndonëse prej afro një muaji trumbeton fjalën “revolucion”, sot ai ka deklaruar se e përdor atë term në aspektin figurativ, pasi nuk ka ndërmend të bëjë akte dhune.
Prej javësh ai flet për mosbindje civile dhe kërcënon Ramën se do i shkojë në Surrel dhe po ashtu deklaron se do fusë qytetarët në Kuvend, por sot ka thënë se do vijë në pushte vetëm me votë.
Berisha e pranoi se termi “revolucion” është i ekzagjeruar.
“Ne jemi në një revolucion dhe prapë do ndalem këtu. Kjo është një fjalë pak si e lartë dhe jo rrallë po më thonë pse po e përdor këtë term. Sepse ne kemi një regjim monist që ka vendosur sistemin ‘de facto’ të eleminimit të votës. Ju të gjithë e njihni procesin, por nëse unë kryeministër mobilizoj të gjithë makinerinë shtetërore dhe ti që drejton një forcë politike, vjen dhe matesh me mua, unë me një logjistikë 100 herë më të madhe se tënden, me një buxhet sa buxheti i shtetit, kjo zgjedhjet i bën fiktive. Unë ju dhashë një shembull por janë me qindra praktika të tjera që ky përdor. Atëherë neve na mbetet të kapitullojmë? Jo! Sepse ne përfundimisht do ta largojmë nga pushteti këtë dhe ne nuk do të vijmë kurrë në pushtet me dhunë përveç se me votën e lirë, por këtij nuk i ndahemi ne, jo”, tha Berisha.
Po ashtu, ai e bëri të qartë fare se pavarësisht retorikës nuk do ketë dhunë.
“Pse e bëj këtë analizë, është frymëzuese kjo. Një ushtri e vërtetë idealistësh, por ne do të ndjekim e them edhe njëherë, revolucion paqësor, me elementë të qartë të mosbindjes civile. Pse paqësore se ne jemi forcë demokratike, nuk jemi forcë dhune. Nuk lëkundemi ne nga ky pozicion, askush nuk mund të na intimidojë. Ua them unë këtu, kjo është çështje bindje e thellë. Edi Rama është i interesuar për dhunë. Në fakt jo vetëm ai, por edhe të tjerë, por ne jemi forcë politike e cila beson në fuqinë e lëvizjes paqësore, beson në fuqinë e mosbindjes civile”, tha ai.
Lini një Përgjigje