
Kuvendi mban sot seancë plenare. Në rend të ditës është një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës ”Fan Noli” në Tiranë.
“Qeveria ka propaganduar të ashtuquajturën "Paketa e Sigurisë në Shkolla'' që do të identifikonte rreziqet, do të rriste sigurinë, jo vetëm brenda shkollës, por edhe në perimetrin e sigurisë jashtë shkollave. Oficer të trajnuar duhet të merreshin me këtë çështje dhe do ishte sipas qeverisë prioritet i MAS. Në shtator të këtij viti kryeministri është shprehur se : "oficeri i sigurisë duhet të jetë në vend të prindërve, që duhet të njohë çdo nxënës dhe problematikat e tyre, që ata të ndihen dhe të jenë të sigurt në institucionet arsimore''. Ndërsa për të vlerësuar situatën psikologjike të fëmijës, është vendosur edhe figura e psikologut në shkolla”, thuhet në kërkesën e PD.
Gjithashtu në seancën e sotme do të shqyrtohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.57 /20 15″.
Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektvendimin “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrative pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.
Në rend të ditës është edhe shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrative pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publikë”.
Lini një Përgjigje